Çavuşoğlu: Franca përpiqet të rrisë praninë e Rusisë në Libi

Turqia ka akuzuar sot aleatin e NATO-s, Francën, se po përpiqet të rrisë rolin e Rusisë në Libi, përkundër faktit që aleanca e sheh Moskën zyrtare si kërcënim, raporton Anadolu Agnecy (AA).

“NATO e sheh Rusinë si një kërcënim në njërën anë, por aleati i NATO-s Franca po përpiqet të rrisë praninë e Rusisë në Libi nga ana tjetër”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij hungarez Peter Szijjarto.

“Edhe pse ne (Turqia) duket se jemi në anë të kundërta me Rusinë, ne po punojmë jo për të përkeqësuar situatën, por për të arritur armëpushim”, shtoi Çavuşoğlu.

Kryediplomati turk më tej tha se Franca mbështeti “një puçist, një pirat, Khalifa Haftarin” në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke iu referuar gjeneralit renegat me qendër në lindje të Libisë.

Libia është shkatërruar nga një luftë civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të një sulmi ushtarak nga komandanti renegat Khalifa Haftar.

OKB-ja e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin legjitim të vendit. Tripoli ka luftuar milicitë e Haftarit që nga prilli i vitit të kaluar, një konflikt që ka marrë mbi 1.000 jetë njerëzish.

Sipas një pakti ushtarak të nënshkruar me Libinë nëntorin e kaluar, Turqia dërgoi këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar në betejën kundër forcave të Haftarit.

Pas zbulimit të varrezave masive në zonat e lëna pas tërheqjes së milicive të Haftarit, OKB dhe juristët ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin për krimet e mundshme të luftës.

Haftar është mbështetur ndërkombëtarisht nga Rusia, Franca, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE

Kryediplomati hungarez Peter Szijjarto tha se Turqia dhe Hungaria dhe Hungaria ranë dakord mbi stabilizimin e Libisë dhe ai i bëri thirrje BE-së të bashkëpunojë me Turqinë për stabilitetin e vendit të shkatërruar nga lufta civile.

Lidhur me marrëdhëniet Turqi-BE, Szijjarto e përshkroi Turqinë si një “partner të rëndësishëm” për BE-në dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Turqinë në çështjet e sigurisë dhe çështjet ekonomike.

“Është e nevojshme të shprehen qartë kushtet”, tha ai, duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE.

“Nëse arrihet marrëveshje, le ta bëjmë atë. Nëse ka diçka që nuk është bërë ose nuk është përmbushur, le ta themi qartë”, theksoi ai.

“Nëse ky partneritet strategjik nuk ndodh, do të ketë mangësi të pazëvendësueshme për BE-në”, shtoi Szijjarto.

Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 dhe bisedimet për anëtarësim filluan në vitin 2005. Por negociatat u ndërprenë në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve nga administrata greke qipriote, Gjermania dhe Franca.