Cameron: Johnson është një gënjeshtar që e përkrahu Brexit-in për ndërtim karriere

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka shkruar në librin e tij se kryeministri i tanishëm i këtij shteti, Boris Johnson, është një gënjeshtar që e ka përkrahur fushatën për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian vetëm për ta ndërtuar karrierën e vet politike.

Ish-shefi i qeverisë britanike lëshoi kritika të ashpra edhe ndaj ish-kolegëve të tij, ministres së brendshme, Priti Patel, dhe këshilltarit qeveritar, Dominic Cummings.

Në shkrimin që mund të jetë akuza më shpërthyese e tij deri më tash, Cameron e akuzon kryeministrin Johnson për nxitjen e një fushate zgjedhore raciste duke u përqendruar në Turqinë dhe pranimin e saj të mundshëm në BE.

“Nuk u nevojit shumë kohë për ta kuptuar entuziazmin e përkrahësve të largimit nga BE-ja. Pse të përqendrohemi te një shtet që nuk ishte anëtar i BE-së? Përgjigjja është se ai ishte vend mysliman, që ngjallte frikë rreth islamizmit, imigrimit masiv dhe transformimit të komuniteteve. Ishte shumë e qartë”, shkruan ai.

Ish-kryeministri i vazhdon akuzat kundër kryeministrit të tanishëm duke thënë se deklaratat e tij për shqetësimet lidhur me sovranitetin e Britanisë ishin në rend të dytë dhe se shqetësimi kryesor i shefit të qeverisë ishte si ta arrinte rezultatin më të mirë për vete, shkruan “The Guardian”.