Përbërësit kyç të pedagogjisë popullore te shqiptarët, të cilat kanë qenë të shënuara dhe studiuara edhe nga të huajt, janë besa dhe bujaria të shkrira me trimërinë. Sa i takon bujarisë te shqiptarët, ajo është dëshmuar shekuj radhazi dhe është e dokumentuar me shumë fjalë të urta popullore të cilat janë transmetuar brez pas brezi, e kanë arritur deri në duart tona në formën e shënimeve apo gojëdhënave. Kur flitet për bujarinë dhe jepen këshilla në lidhje me këtë, kujdes të veçantë i kushtohet anës tjetër të medaljes, koprracisë. Andaj aq fjalë të urta dhe këshilla që mund të hasësh për bujarinë, po aq ka edhe për koprracinë, pra për largimin e këtij vesi negativ.

“ Bukë e krypë e zemër”Fjalë e urtë shkodrane

Kjo thënie e cila burimin e ka te pedagogjia popullore ka të bëjë me bujarinë, pra me atë që edhe sikur bukë e krypë të hahet, kryesorja është që zemrat të jenë të bashkuara. Nuk i jepet rëndësi anës materiale, pra ushqimit, por bashkimit shpirtëror. Ndër shekuj kjo thënie ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në mikpritjen shqiptare. Nuk është me rëndësi ajo që shtrohet në sofër, por sa e prish zemrën kur dikujt i shtron një copë bukë. Një thënie tjetër e cila ka prejardhjen nga fshati Sllovë, rrethi i Dibrës është si në vijim:  “Njeriu që vetëm për vete punon, asht si druni që pemë s’lëshon”

Pra kjo thënie ka të bëjë me koprracinë. Njeriu koprrac është njëlloj sikurse druri i cili nuk jep fruta. Druri i mirë është i tillë që u vihet të tjerëve në shërbim, pra nga mirësitë dhe begatitë e tij përfitojnë të tjerët. Heroi popullor nga Malësia e Gjakovës, Bajram Curri në lidhje me bujarinë ka thënë këtë fjalë :” Zanin për të mirë ta qesin pushka dhe buka”. Kur njeriu është bujar, padyshim që emri i tij do të përmendet për mirë dhe nga të gjithë. Këtu vjen në shprehje edhe shkrirja e bujarisë me trimërinë. Pra, edhe pushka edhe buka ta nxjerrin zërin për të mirë.

Trimëria te shqiptarët ka qenë e lidhur me besën, dashurinë ndaj atdheut dhe vendlindjes, lirisë dhe dinjitetit. “ Aj qi ska gojë, vdes pa ardhë dita”Elbasan

Njeriu i cili nuk kërkon të drejtat e tij, është koha ajo që e shkatërron. Për të fituar një të drejtë, lirinë apo dinjitetin, patjetër duhet që të vijë në shprehje trimëria, pasi që një thënie e urtë e rrethit të Skarparit është si në vijim:” E mira stë vjen vetë” . Tiranasit gjithashtu përdorin një fjalë të urtë shumë domethënëse: “Frikacakët vdesin shumë herë, trimat veç njëherë”. Njeriu frikacak i cili jeton me ndjenjën e frikës dhe bindjes që gjërat nuk mund të ndryshohen, ai vdes disa herë, pasi që trimi i vërtetë vdes kur është koha dhe vendi, duke i dalur në mbrojtje vlerave, vendlindjes dhe dinjitetit të popullit dhe familjes së tij.

Trimëria te shqiptarët për të mbrojtur vendlindjen dhe për të ruajtur vlerat e veta kombëtare, nuk ka mbetur vetëm se ne thëniet popullore apo gojëdhëna, por kur ka ardhur koha është materializuar me daljen në fushëbetejë. Shqiptarët edhe pse një popull i rrethuar nga armiq pothuajse nga të gjitha anët, kanë mbijetuar në këto troje duke ruajtur gjuhën, traditën dhe vlerat kombëtare, duke vënë çdoherë në pah trimërinë. Duke qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, shqiptarët hapën shkolla shqipe, vetëdijesuan popullatën për bashkim dhe pavarësim kombëtar, organizuan konferenca dhe tubime për të unifikuar alfabetin, që u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë. Prej Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, e deri në vitin 1912, regjistrohen shumë ngjarje të cilat mbi të gjitha janë produkt i trimërisë, besës dhe bujarisë shqiptare. Edhe pse ka pasur shumë faktor të cilat kanë ndikuar në tjetërsimin e popullatës, përsëri në përgjithësi edukata morale e popullit shqiptar është ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi.