Bosillkov: Nëse nuk ndërmarrim aksion masiv, gjenerata e lindur pas vitit 2000 nuk do të përjetojë pleqëri të thellë

Për ne, qytetërimi që e kemi vepron si konstante, e dhënë nga Zoti. Çfarëdo diskursi për shkatërrimin e tij vepron si fantastikë shkencore. Por, njerëzimi në këtë moment është si bretkosë në ujë të ngrohtë dhe po na skadon koha për ta fikur zjarrin. Nëse nuk ndërmarrim një aksion masiv kolektiv në nivel të gjithë botës, gjenerata e lindur pas vitit 2000 nuk do të përjetojë pleqëri të thellë ose pleqëri të qetë. Ne jemi vrimë e zezë ekologjike e Evropës dhe duhet doemos të bëjmë madje edhe më shumë se të tjerët për ta ulur ndotjen e ajrit. Nëse nuk përmirësohemi vetë, nuk mund të na përmirësojë dikush tjetër. Këtë në intervistën për MEDIAL-n e tregon Ivo Bosillkov, doktorant i Universitetit të Milanos, njëri nga organizatorët e protestës kundër ndryshimeve klimatike që do të mbahet nesër para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Çfarë mund të na thoni për iniciativën “Të premte për të ardhmen” (Fridays ForFuture) dhe çfarë pritjesh keni nga protesta që paralajmërohet në gjithë botën, po edhe te ne?

„Fridays For Future“ është ide e të rinjve, për të rinjtë, në gjithë botën. Lider i saj shpirtëror është Greta Tunberg, vajza e cila duke filluar nga vera e kaluar i braktiste orët e mësimit çdo të premte që vetë të protestojë para Parlamentit suedez. Kërkesa e saj ishte shumë e thjeshtë, ndryshimet klimatike të kuptohen përfundimisht ashtu siç janë – kërcënim për ekzistimin e qytetërimit njerëzor. Kjo vajzë u bë ikonë ekologjike meqë në moshën mezi 15 vjeçe tregoi më shumë vetëdije dhe përgjegjësi për ardhmërinë e planetit sesa të gjithë liderët e botës. Njerëzit filluan ta ndjekin, t’u bashkëngjiten protestave të saj, për shkak se në të shikonin shpresë se gjeneratat e reja kanë potencial për të ndryshuar fatin e botës. Sot ajo është simbol dhe frymëzim për gjithë lëvizjen e quajtur „Fridays For Future“, që u shndërrua në rrjetë globale horizontale jo vetëm e ekoaktivistëve, por edhe e mijëra personave të rinj progresiv. Në këtë lëvizje ata e shikojnë shansin e fundit për të parandaluar katastrofën klimatike dhe të premten do të dalin në më shumë se një mijë qytete në thuajse 100 vende për të përcjellë porosinë e tyre. Njëri prej këtyre qyteteve është edhe Shkupi. Shpresojmë se do të kontribuojmë me dinjitet në valën e gjelbër botërore dhe do të rrisim presionin ndaj autoriteteve edhe te ne që ta kryejnë pjesën e tyre të punës.

Çfarë e shkakton, sipas jush, më së shumti ndotjen në shtet?

Kur pyetja parashtrohet në këtë mënyrë, fitohet përshtypje se kjo është objekt i debatit. Hulumtimet shkencore tregojnë se nuk ka vend për debat të tillë. Pa konkurrencë, ndotësit më të mëdhenj janë kapacitetet industriale, të cilat në mënyrë të pakontrolluar lëshojnë materie helmuese në ajër, tokë dhe ujë. Drislla, Jugohromi, Feni, Usje, Makstili… Lista e ndotësve është e gjatë, ndërsa gjobat që i paguajnë për tejkalimin e lëshimeve të lejuara janë qesharake, kështu që duke marrë parasysh qarkullimin që e bëjnë dhe tatimet e ulëta që i kanë, mund t’i lejojnë vetes tejkalime konstante. Politikanët në pushtet kanë interes që kjo të mbetet kështu, për shkak se realisht bartës të ekonomisë janë kompanitë, e plus kësaj edhe drejtpërdrejt marrin një pjesë të fitimit nga provizionet, tenderët dhe dividendët. Të premten para Qeverisë do të kërkojmë që t’u dilet fuqishëm në rrugë ndotësve të mëdhenj, në vend se t’u hidhet faji qytetarëve që ngrohen me dru. Është e saktë, në lëshimin kontribuojnë edhe ata, edhe makinat, edhe elektrocentralet me qymyr. Prandaj nevojitet transformim i përgjithshëm i jetës shoqërore-ekonomike drejt energjisë përtëritëse, ngrohjes diellore, transportit publik elektrik, etj. Jemi të vetëdijshëm se ky është një intervenim i madh, mirëpo nuk ka alternativë dhe doemos duhet të fillohet prej më të pasurve dhe industrive të tyre.

Si ndikojnë ndryshimet klimatike në ndotjen?

Kjo është pyetje interesante, për shkak se logjika zakonisht shkon anasjelltas – ndotja ndikon në ndryshimet klimatike. Në esencë, ndryshimet klimatike janë rezultat i afatit të gjatë të ndotjes së vazhdueshme të atmosferës me CO2. Meqë CO2-shi i absorbon rrezet e reflektuara diellore nga sipërfaqja e tokës, temperatura e rruzullit tokësor rritet, edhe atë brenda disa dekadave do të rezultojë me kolaps të gjithë shoqërisë. Por, pyetja e parashtruar në këtë mënyrë mundëson që të depërtohet më thellë në vetë problematikën. Në çfarë mënyre do të manifestohet ky kolaps? Ja disa shembuj më të thjeshtë. Nëse shkrirja e akullit polar e rritë nivelin e detit deri në atë masë që bregdeti të përmbytet, do të kemi me dhjetëra milionë refugjatë nga ato zona, të cilët do të vozisin drejt brendisë me makina dhe gazrat dalëse të këtyre makinave do ta mbushin ajrin. Ose, uragane do të shkatërrojnë qytete të tëra, ndërsa për t’i rindërtuar ato industria ndërtimore do të duhet të shpenzojë sasi të mëdha të karburantit. Ose më së thjeshti, thatësirat do të shkaktojnë luftëra për resurse që do ta ndryshojnë pamjen e Tokës. Tani e kuptoni pse ndotja vetvetiu si problem do të jetë qesharake në raport me atë që do të shkaktohet më vonë. Shkaktohet efekt i kaskadave i forcimit të ndërsjellë të këtyre fenomeneve vdekjeprurëse. Zgjidhja për gjithë këtë është ndryshimi emergjent i modelit shoqëror-ekonomik, në nivel global.

Sa janë qytetarët të vetëdijshëm dhe sa dinë për ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre mbi të gjithë ne?

Ndryshimet klimatike janë sfida më e madhe nga ky aspekt. Për shumicën e qytetarëve, ndryshimet klimatike janë problem i largët dhe abstrakt, i cili nuk ka prioritet në raport me problemet e përditshme. Pse të merremi me të ardhmen, kur edhe të tanishmen e kemi të keqe? Përveç kësaj, nga aspekti psikologjik, është vështirë për këdo të mendojë se diçka që në shikim të parë zhvillohet aq ngadalë dhe praktikisht në mënyrë të pakapshme për shqisat mund të rezultojë faktikisht me apokalips. Për ne, qytetërimi që e kemi vepron si konstantë, e dhënë nga Zoti. Çfarëdo diskursi për shkatërrimin e tij vepron si fantastikë shkencore. Por, njerëzimi në këtë moment është si bretkosë në ujë të ngrohtë dhe po na skadon koha për ta fikur zjarrin. Nëse nuk ndërmarrim një aksion masiv kolektiv në nivel të gjithë botës, gjenerata e lindur pas vitit 2000 nuk do të përjetojë pleqëri të thellë ose pleqëri të qetë. Dhe ky është problem i madh, për shkak se menjëherë shpie deri te apatia e tipit, nuk ka gjasa që të arrijmë sukses në një intervenim të tillë, asnjëherë nuk do të bashkohet gjithë bota për një çështje. Por, thjesht nuk kemi zgjidhje tjetër.

Pse situata çdo vit gjithnjë e më shumë po përkeqësohet, në vend se të përmirësohet?

Për shkak se nuk po ndërmerret asgjë, dhe ky transformim i domosdoshëm i jetës shoqërore-ekonomike po prolongohet vazhdimisht për të mbajtur në jetë një sistem që është në aparate të frymëmarrjes, edhe tekstualisht edhe figurativisht. Këtë sistem e mbajnë elitat. Një pjesë e arsyeve është marrëzia dhe mosdija e tyre. Liderë botërorë të tipit të Donald Trampit nuk besojnë se diçka duhet bërë fare, përballë të gjitha dëshmive shkencore që e pohojnë të kundërtën. Pjesa tjetër është thjeshtë mungesë e parimeve themelore morale. Në botë ekzistojnë njerëz me fuqi të madhe të cilëve nuk u intereson e mira e përgjithshme dhe nuk u intereson e ardhmja. Nuk e di nëse këta njerëz mund të quhen nihilistë, meqë megjithatë besojnë në diçka, e ky është profiti, nga eksploatimi i naftës, nga industria ushtarake dhe çfarë jo tjetër. Mirëpo, këto elita mund të rrënohen shumë lehtë, meqë kundër vetes kanë 99 për qind të njerëzimit. Vetëm ky njerëzim duhet të vetëdijesohet dhe të kuptojë se si ta realizojë interesin e tij themelor të përbashkët – të mbijetojë. Nuk do të jetë e thjeshtë, por „Fridays For Future“ është dëshmi se ekziston shpresë për të evituar zhdukjen.

Cilat masa duhet t’i ndërmarrë shteti me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit?

Tashmë i përmenda masat më të rëndësishme, si gjoba rigoroze për çfarëdo tejkalimi të ndotjes së lejuar nga industritë, kalim drejt burimeve përtëritëse të energjisë në vend të termocentraleve me thëngjill, vendosje të transportit publik elektrik. Ne me këto kërkesa nuk zbulojmë ujë të ngrohtë, vetëm i vendosim në kontekst tjetër, më të gjerë. Problemi nuk qëndron në atë se autoritetet nuk dinë se çfarë duhet të bëjnë, problemi është se nuk duan. Ne jemi këtu që t’i detyrojmë që të duan, për shkak se kot e kanë bashkimin me oligarkët, nëse bëjnë armik gjithë popullin. Ata planifikojnë arsyetime të tipit se jemi vend i vogël dhe i parëndësishëm, por kjo është gënjeshtër. Ne jemi vrimë e zezë ekologjike e Evropës dhe duhet doemos të bëjmë madje edhe më shumë se të tjerët për ta ulur ndotjen e ajrit. Nëse nuk përmirësohemi vetë, nuk mund të na përmirësojë dikush tjetër.

Cilat masa duhet t’i ndërmarrim ne si qytetarë?

Ekziston një perceptim i gabuar se nëse vetë secili për vete zbatojmë masa pozitive, të tipit të vozitjes më të shpeshtë të biçikletave, më pak ngrënie të mishit dhe ngjashëm, problemi do të zgjidhet vetvetiu. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Shoqëria është tepër masive që një qasje e këtillë spontane të jep rezultat, pa ndryshim sistematik, të organizuar nga niveli më i lartë i politikës udhëheqëse. Ndërsa kjo politikë, mund të ndodhë vetëm nëse mbi liderët ushtrohet presion i mjaftueshëm nga qytetarët. Nuk them që të mos bëhen këto masa individuale, por realisht ato më shumë shërbejnë për qetësimin e ndërgjegjes personale dhe vazhdimin e praktikës së refuzimit të përballjes me realitetin. Vetëm me presion të vazhdueshëm, që do ta shprehë vullnetin demokratik të qytetarëve, mund t’i detyrojmë që të miratojnë plan. Prandaj, është kyçe që qytetarët të informohen dhe të përfshihen në mënyrë aktive në lëvizjen për shpëtimin e mjedisit jetësor.

Marija Spasovska

Bisera Trajkovska