Dentisja Anila Memo do ta mbajë mend gjatë ditën të hënën, (11.05.2020) kur ajo rifilloi punën në klinikën e saj dentare, pas 60 ditësh mbylljeje për shkak të epidemisë COVID-19. Klinikat dentare dhe parukeritë u lejuan të rifillojnë aktivitetin e tyre me masa të rrepta sigurie dhe higjene. Por Dr. Memo duket shumë e gëzuar në mjediset jashtë klinikës dhe aspak e bezdisur prej masave. “Këto masa nuk përbëjnë asnjë problem për dentistët pasi edhe pa u prekur nga epidemia e virusit corona  maskat, dorezat, higjena e mjedisit ku punojmë kanë qënë rutinë e përditshme në punën tonë. Nuk ka asgjë të re në protokollin e deritanishëm”, thotë për DW, mjekja dentiste Anila Memo.

Si duhet të jetë protokolli i ri që po hartohet për Shërbimin Dentar? 1500 dentistë, anëtarë të Shoqatës së Dentistëve të Shqipërisë, kanë nënshkruar një peticion, ku i kërkojnë qeverisë që Protokolli Anti COVID, të hartohet mbështetur në fakte dhe përvoja konkrete, pra të jetë, thotë Dr. Memo -“Evidence – Based Medicine”, shkruan DW.

Albanien Tirana Zahnärztin Anila Memo (DW/A. Ruci)Anila Memo

“Ndaj Shërbimit Dentar po përdoret një terminologji diskriminuese. Edhe pse të hënën, rifilloi puna 8 orë në ditë, ky shërbim është klasifikuar nga institucionet publike si “vatër e rrezikshme për përhapjen e virusit corona dhe është futur në të njëjtën kategori biznesi si parukeritë dhe berberët. Nëse protokolli i punës në Shërbimin Dentar nuk do të hartohet në bazë të metodës” Evidencë-Based Medicine” mund  të shkaktojë probleme në punën tonë”, thotë Dr. Memo, që në biznesin e ofrimit të shërbimeve dentare ka të përfshirë edhe anëtarë  të familjes së saj.

Civici: Paga e “luftës” është vetëm një ndihmë sociale

Për biznesin familiar të bllokuar prej 2 muajsh nga pandemia corona këto dy alternativa varen nga niveli i rrezikut për të përhapur infektimin me virusin corona. Klasifikimi bëhet nga Komiteti i Ekspertëve, i ngritur nga qeveria dhe Instituti i Shëndetit Publik. Shumë biznese familiare si Palestrat, Qendrat e Fitnesit, Pishinat dhe Fast- Fooded, sa për ilustrim, mbeten ende të bllokuara që nga 13 marsi.

Albanien Tirana | Autos auf den Straßen in Tirana (DW/A. Ruci)

Eksperti i Ekonomisë, Prof. Adrian Civici thotë për DW se hapja e tyre duhet të fillojë sa më parë. “Hapja sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të shoqërohet me protokolle sanitare të rrepta. Çdo zgjatje e bllokimit për bisneset familiare në 6 “Zonat e Kuqe”, ku karantina vazhdon, përfshirë këtu edhe Tiranën, rrit rrezikun e falimentimit ose të mbylljes së tyre të përkohshme. Paga e “luftës” është vetëm një ndihmë sociale për të mbijetuar, për më tepër që deri tani është dhënë vetëm një herë gjatë 2 muajve të bllokimit” thotë për DW, Prof. Adrian Civici.

Për kategoritë  e bizneseve familiare, që mund të përhapin më shumë infektimin me virusin corona ai thekson se qeveria mund të marrë masa të tjera mbështetëse me “natyrë fiskale dhe tatimore, në nivel qëndror dhe lokal, të subvencionojë pagesat e energjisë elektrike, qirave, ujit dhe të japë një pagë të dytë të “luftës”, thekson ai. Alternativa e falimentimit në vend të rifillimit shfaqet frikshmë për bizneset familiare që nuk u hapën në 11 maj. Nëse qeveria nuk ndërhyn një sërë pasojash ekonomike dhe sociale do të prekin familje të tëra.

Bizneset familiare në Shqipëri më të lartat në rajon

Sipas raportit të Eurostat 2019, Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon të të punësuarve në biznesin e familjes, 55,9 % . Nje nivel  i tille i bizneseve familiare, pra i vetëpunësimit flet për një ekonomi jo konkurruese, me prodhueshmëri të ulët dhe mungesë alternativash të tjera punësimi. Raporti Eurostat 2019 përmban edhe të dhëna për bizneset familiare në vendet e BE, ku Shqipëria synon të hyjë: sipas këtij raporti norma e të vetëpunësuarve dhe e të punësuarve në bizneset familjare është 14.6% dhe pjesa tjetër janë  të punësuar me pagesë. Me këtë nivel kaq lartë të bizneseve familiare mund të përfytyrohen pasojat e mbylljes prej 60 ditësh të bizneseve familjare, që sipas Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm arrijnë në mbi 80 mijë.

Dr. Ardian Civici (Ani Ruci)Prof. Adrian Civici

Ndalohen protestat dhe tubimet në kohë epidemie

Nuk janë vetëm ekspertët e ekonomisë që i sugjerojnë qeverisë hapjen sa më parë të bizneseve familjare, të shoqëruar me procedura të rrepta mbrojtjeje nga infektimi potencial me virusin corona. Janë edhe vetë familjet të cilave u është mbylluar biznesi që kërkojnë fillimin e kthimit gradual drejt normalitetit. Te mbështetur nga aktivistë të shoqërisë civile ata kërkuan të protestojnë javën e kaluar në Sheshin Skëndërbe, kundër masave shtrënguese nga COVID – 19. Protesta e tyre u shpërnda nga policia që procedoi penalisht edhe 7 protestues. Në njoftimin për shtyp, policia e quajti protestën “të paligjshme, pa leje, të organizuar në një situatë të jashtëzakonshme në kohë epidemie kur ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.” Policia ushtroi dhunë dhe arrestoi aktivistë të shoqërisë civilë, që në Ditën e Europës, (9.05) protestuan përsëri kundër masave shtrënd

guese anti COVID -19 dhe shembjes së Teatrit Popullor.