Njëri ndër vyrtitet më të lashta të popullit shqiptar është edhe besa. Besa është një zotim solemn për të vepruar bashkërisht për një qëllim të përbashkët. Besa jepet nëpërmjet fjalës së nderit për të përkrahur dikë ose për tu lidhur me të. Besa jepet për çështje personale, familjare, shoqërore, kombëtare, e kështu me rradhë. Sipas traditës shqiptare në momentin kur jepet ky zotim, atëherë personi i cili është pjesë përbërëse e kësaj lidhjeje duhet sakrifikuar edhe jetën e tij për të përmbushur betimin. Njeriu i cili mban besën quhet njeri besatar. Te ne përdoren fjalë të tilla si besa-besë, të cilat janë fjalët ceremoniale në momentin e lidhjes së fjalës së nderit.

Besa për çështje kombëtare edhe pse është besa e cila është vlerësuar dhe është shkruar më shumë për të, edhe besa për çështje personale zën një vend të rëndësishëm në traditën shqiptare. Psh. ruajtja e sekreteve të dikujt, është një formë bese që i jepet tjetrit që ai informacion mos të merret vesh nga të tjerët.  Gjithashtu edhe besa e lidhur mes familjeve për të ndërprerë gjakderdhjet dhe hakmarrjet është e një rëndësie të veçantë. Nëse ka ndodhur ndonjë konflikt mes ndonjë anëtari të një familjeje dhe një familjeje tjetër, atëherë nëse familja e cila ka pasur të drejtë të marrë hakun, jep besën që fal gjakun, atëherë ajo familje duhej të qëndronte në fjalën e dhënë.

Besa në grupe apo shoqëri haset qysh në të kaluarën. Besëlidhje të tilla si: Besëlidhja e Lezhës e vitit 1444, Besëlidhja e Kurveleshit e vitit 1547, Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, Kuvendet e mbajtur në vise të ndryshme shqiptare, Besëlidhja e vitit 1912 për shpalljen e pavarësisë, janë raste tipike të besës në grupe. Edhe në vargjet e shkruara nga Aleksandër Stavër Drenova, të cilat sot këndohen në himnin kombëtar , në fjalët e para hasim elemente të besës.

“Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir’ e një qëllim,
Të gjith’ atij duke iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.”

Edhe në thëniet popullore hasim në shumë fjalë të urta të cilat nxisin mbajtjen e besës, dhe eleminojnë elementet e tradhtisë. Në Lurë të Dibrës e përdorin një fjalë të këtillë: “Asht ma zort fjala e dhanme, se puna e bame”. Të mbash fjalën nevojitet sakrificë dhe një angazhim i cili shpeshherë ka kosto të larta. Fjala e dhënë ndonjëherë mund të na dëmtojë materialisht, fizikisht, shpirtërisht, kurse ndonjëherë mund ta paguajmë edhe me jetën personale. Po gjithsesi më mirë të humbasësh jetën në mbajtjen e fjalës së dhënë, sesa duke tradhtuar atë. Në vazhdim do të paraqesim disa thënie popullore të cilat kanë të bëjnë me besën, duke shënuar edhe vendin nga i cili kanë preardhjen.

“Besa asht ma e fortë se vdekja” – Krujë

“Arma ma e mirë e armikut është tradhtita” – Prizren

“ Besa e burrit thyen edhe gurrin” – Jug

“ Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala” – Vlorë

“Kah del fjala, del shpirti” – Shkodër

“ Si të kesh besë, nuk je fukara” –  Lurë-Dibër

“ Ylli, mbasi u ba bisht, filloi të pritet”– Sllovë – Dibër

 Besa shqiptare është një vyrtit i lashtë ilir, i trashëguar brez pas brezi, edhe përskaj vështirësive, globalizimit kulturor dhe sprovave të ndryshme të moralit, ajo jeton edhe në ditët e sotit. Besa shqiptare në kohë të ndryshme ishte edhe një lloj kushtetute apo ligji, pra aty ku mungonte shteti. Ky thesar i lashtë dhe unik për shqiptarët, edhe përskaj shumë sundimeve të perandorive të ndryshme dhe rrethimeve të fqinjve grabitqarë të tokave, është një faktor që ka ndikuar në mbijetimin e popullit shqiptar nga këto stuhi. Besa shqiptare gjithashtu u përdor edhe në miratimin dhe eliminimin e hasmërive të ndryshme, ku persona të zgjedhur të fiseve kërkonin besën për çështje të caktuara. Pra, përmes besës e cila lidhet me nderin e njeriut tregohen vlerat morale dhe karakteri i popullit shqiptar.