Shefi i punëve të jashtme i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se blloku evropian përshëndet rifillimin e bisedimeve mbi eksplorimet midis Turqisë dhe Greqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas një takimi të kryediplomatëve të vendeve anëtare të BE-së, Borrell i quajti bisedimet e rifilluara mbi eksplorimet “një hap të rëndësishëm drejt avancimit dhe konsolidimit të dialogut dhe bashkëpunimit tonë”.

Ai po ashtu vlerësoi “mesazhet dhe gjestet e rëndësishme të autoriteteve turke” për të zgjidhur tensionet e vitit të kaluar me bllokun evropian.

“Ne rishqyrtuam të gjitha çështjet që vunë shumë telashe në marrëdhëniet tona në vitin 2020 dhe të dy palët u pajtuam t’i tejkalojmë ato”, tha Borrell, duke iu referuar vizitës së javës së kaluar në Bruksel të kryediplomatit turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Borrell shtoi se liderët premtuan se do të “kërkojnë një mënyrë më të mirë për të ndarë shqetësimet dhe se do të punojnë së bashku për një marrëdhënie më të mirë fqinjësie”.

Kryediplomati i BE-së po ashtu shprehu shpresë se negociatat mbi Qipron të drejtuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) do të rifillojnë në fund të muajit shkurt, bisedimet e para mbi Qipron që nga viti 2017.

Pas ndërprerjes 5-vjeçare, Turqia dhe Greqia sot rifilluan bisedimet mbi eksplorimet në mënyrë që të arrijnë zgjidhje për mosmarrëveshjet detare dhe problemet e tjera dypalëshe.

Në bisedimet në Stamboll, zyrtarët e lartë turq dhe grekë vlerësuan çështjet nga raundet e mëparshme, situatën aktuale, zhvillimet e fundit, si dhe hapat e mundshme që do të ndërmerren.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet e kufijve detarë nga Greqia dhe Qiproja Greke, duke theksuar se ato shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Liderët turq në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.