BE i dhuron Kosovës pjesën e tretë të pajisjeve mjekësore

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i dorëzoi të premten Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë dhjetë auto-ambulanca, 100 shtretër spitalorë dhe pajisje të tjera mjekësore, të cilat përfshijnë 150 pompa infuzioni, 127 monitorues të pacientëve dhe 7,000 litra substancë dezinfektuese të duarve.

“Vlera totale e këtij donacioni është 1.17 milion euro dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën, për t’u marrë me pandeminë e [sëmundjes që shkakton koronavirusi] COVID-19”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së BE-së.

Në prill dhe maj, Bashkimi Evropian ka dërguar edhe disa furnizime të tjera në Kosovë, përfshirë: doreza, maska, syze, dezinfektues e të tjera.

“Jam e lumtur që kemi një shpërndarje tjetër të pajisjeve mjekësore në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, të cilat jemi të sigurt se do t’iu shërbejnë qytetarëve në Kosovë si gjatë pandemisë COVID-19, ashtu edhe në vitet në vazhdim”, tha të premten Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë.

“Brenda disa javëve të ardhshme, ne gjithashtu presim të ofrojmë 30 ventilatorë të njësisë së kujdesit intensiv, pajisje shtesë mjekësore, më shumë shtretër spitalorë dhe 6,000 teste për COVID-19, me të cilat do të përmbyllen dërgesat e planifikuara të pajisjeve mjekësore, në vlerë prej 5 milionë eurosh, të dhuruara nga Bashkimi Evropian”, tha Apostolova.

Ajo i lavdëroi autoritetet e Kosovës, stafin mjekësor dhe stafin laboratorik për punën gjatë pandemisë.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1,147 raste me koronavirus. Prej tyre, 874 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.