Autoritetet austriake kanë pezulluar inokulimet me një seri të vaksinave nga AstraZeneca, si një masë paraprake, derisa po hetohet vdekja e një personi si dhe e një tjetri që u sëmurë pas marrjes së vaksinës.
“Zyra Federale për Sigurinë në Kujdesin Shëndetësor (BASG) ka pranuar dy raporte në një lidhje kohore me një vaksinim nga e njëjta seri e vaksinave të AstraZeneca në klinikën e rrethit të Zwettl në provincën e Austrisë së Ulët”, thuhej në deklaratë.
Sipas medieve të huaja, një grua 49-vjeçare vdiq si rezultat i çrregullimeve të rënda të koagulimit, derisa një tjetër grua 35-vjeçare zhvilloi emboli pulmonare dhe është duke u shëruar.