Austri: Shtohen ndjeshëm vrasjet e bashkëshorteve nga burrat, së fundi tragjedia ndodh me çiftin shqiptar

Austria vijon të tronditet nga dhuna familjare që rezultojnë me vrasjen e bashkëshortes.

Pasditen e së hënës, një grua 32-vjeçare nga Maqedonia është goditur për vdekje me një mjet të mprehtë. Ngjarja makabër ka ndodhur në parkingun e qendre tregtare në Austri.

“Për shkak të lëndimeve të rënda, gruaja ka ndërruar jetë në vendngjarje”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë austriake, Heinz Holub. Viktima 32-vjeçare është shtetase e Maqedonisë, gjegjësisht nga fshati Llaskarcë i Komunës së Sarajit.

Si i dyshuar kryesor akuzohet bashkëshorti 36-vjeçar i gruas, gjithashtu nga Llaskarca e Sarajit. Pas kryerjes së veprës makabër, personi është arrestuar pa bërë ndonjë rezistencë. Me këtë rast, kanë qenë të pranishëm edhe dëshmitarë.

Hetimet i ka filluar Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale të Austrisë së Ulët. Sipas Holub, ende nuk është e qartë nëse arma e vrasjes kishte qenë një thikë apo ndonjë objekt tjetër i mprehtë. Çifti ishin të martuar dhe kishin dy fëmijë të moshës së mitur.

Shtimi i vrasjeve të bashkëshorteve në Austri

Gjatë 2018 (pa dhjetorin) në Austri janë vrarë 41 gra – shifra më e lartë prej dhjetë vitesh. Për krahasim në 2015 kjo shifër ishte 17, shkruan Die Presse, përcjell foldrejt.com. Në 2016 kjo shifër ishte 28, kurse në 2017 ishte 36. Sipas policisë kriminale austriake motivet janë ose për para ose për xhelozi. Viti 2019 ka filluar poashtu me sëpaku vrasjen e tre grave nga bashkëshorti.

Sa u takon kombësive numri më i madh i këtyre krimeve vjen nga serbët dhe kosovarët me nga shtatë vrasje, më pas austriakët me gjashtë vrasje, ndjekur nga sllovakët (4) dhe kroatët (3)./Foldrejt.com