Arabia Saudite njoftoi se vetëm personat e vaksinuar ose ata që tashmë janë rikuperuar nga koronavirusi i ri (COVID-19) mund të kryejnë Umren dhe namazin në Xhaminë e Madhe (Mesxhid al-Haram) në Mekë gjatë muajit të Ramazanit.

Kjo masë u njoftua nga agjencia zyrtare e lajmeve SPA, duke cituar një zyrtar nga Ministria e Haxhit dhe Umres, i cili ka thënë se vendi ka marrë disa hapa parandalues në luftën kundër virusit.

Zyrtari ka deklaruar se, brenda kapacitetit të mundshëm në Qabe gjatë Ramazanit, vetëm ata që janë vaksinuar ose që janë shëruar nga COVID-19 do të lejohen të kryejnë Umren dhe të falen.

Më herët, Arabia Saudite kishte njoftuar se gjatë Ramazanit, namazet ditore, namazi i xhumasë dhe teravitë mund të falen në Xhaminë e Madhe në Mekë dhe Xhaminë e Profetit (Mesxhid al-Nebevi) në Medine, dhe se edhe xhamitë e tjera në vend do të jenë të hapura duke i respektuar masat kundër pandemisë.

Vitin e kaluar, namazet e teravisë në Xhaminë e Madhe dhe Xhaminë e Profetit faleshin pa xhemat.