Në 23 shtator, me vendim të Këshillit Komunal Dibër, do vendoset shtatorja e një figure të kontestuar në qytetin e Dibrës. Bëhet fjalë për Aqif Lleshin, i cili është pjesë e familjes që ka pasur figura të shquara përgjatë komunizmit me në krye Haxhi Lleshin. Si portal foldrejt.com, kemi arritur të marrim një intervistë me historianin e njohur nga Maqedonia e Veriut, z.Qerim Lita, i cili gjithashtu njeh mirë rajonin e Dibrës. 

Foldrejt.com: Zoti Lita, si e pritët ju lajmin që në Dibër do vendoset busti i Aqif Lleshit?

Qerim Lita: Vendosja e bustit të Aqif Lleshit njërit ndër eksponentët kryesor të politikës serbomadhe, më vonë asaj komuniste jugosllave paraqet një akt të turpshëm për shqiptarët në përgjithësi, e për shqiptarët nga Dibra në veçanti. Dihet mirëfilli se Aqifi sëbashku me të vëllanë Halitin u rekrutuan nga Pashiqi dhe klika e tij serbomadhe që nga viti 1915 për të zbatuar “kauzën” e asaj politike në krahinat shqiptare: Dibër, Lumë e Mat, për çka më gjërësisht është thënë në reagimin e një grupi studiuesish ku figuron edhe emri im dhe i studiuesit të mirënjohur shqiptar dhe jo vetëm prof. Uran Butka.       

Foldrejt.com: Ka shumë dokumenta që tregojnë se Aqif Lleshi ka bashkëpunuar me komunistët jugosllavë, megjithatë ai nuk është dënuar me pas nga Shqipëria e Enver Hoxhës, e cila pas 1948 vrau gati të gjithë serbofilët me në krye Koçi Xoxen. A mund të jetë një variant që Aqif Lleshi ka qenë bashkëpunëtor i shumëfishtë në dobi të çështjes së atëhershme shqiptare?


 Qerim Lita:  Vetë Enver Hoxha është pjellë e jugosllavëve. Ai në krye të PKSh- së erdhi falë misionarëve komunist jugosllav: Milladin Popoviq, Dushan Mugosha dhe Svetozar Vukmanoviq-Tempo. Faktet e dokumentuara hedhin dritë se regjimi diktatorial i Hoxhës i shkonte përshtati politikës së Titos dhe klikës së tij. Shumë dokumente flasin se si Tito dhe bashkëpunëtorët e tij e mbronin atë regjim totalitar të Hoxhës. Edhe arratisja e Aqifit dhe djalit te tij Stafes qe një vepër e organizuar dhe menaxhuar nga organet e UDB-së jugosllavo-maqedonase, ku merrte pjesë Mustafa Lleshi si toger i atij shërbimi famëkeq, me qëllim që më pas të kryejnë terror ndaj popullsisë shqiptare në Diber të Madhe, që edhe ndodhi. Këta organe arrestuan 38 burra të pafajshëm nga Dibra me rrethinë të cilët u dërguan në Goli Otok, ndërsa familjet e tyre (262) u internuan në Maqedoninë Lindore.   

Foldrejt.com Përgjatë LDB te ne shqiptarët kemi ballistët dhe partizanët. Ballistët kompromentohen keq, pasi shumica lidhen ngushtë me fashistët italianë dhe veçanërisht ato gjermanë; kurse partizanët mbesin linja e vetme e pranuar më pas nga bota. A tregon kjo që të gjithë ballistët që kishin poste përgjatë qeverisë kolaboracioniste (1939-1944), afërmendsh duhen të shpallen tradhtatë, kurse të gjithë partizanët si heronjtë e vetëm të kohës?

Qerim Lita: Nuk qëndron teza se Balli Kombëtar ka bashkëpunuar me fashizmin. Kjo tezë është shpikur nga jugosllavët, konkretisht nga Tempo, i cili, menjëherë pas Marrëveshjes së arritur në Mukje midis Ballit Kombëtar dhe FNCSh-së më 1 gusht 1943, e detyroi Hoxhën dhe PKSh-në të distancohet nga ajo marrëveshje, e cila parashihte luftë të përbashkët kundër pushtuesve nazifashist dhe pushtuesve tjerë eventual, ku drejtpërdrejti mendohej për komunistët jugosllav. Rrjedhimisht Hoxha në Konferencën e Labinotit (1 shtator 1943) u distancua nga ajo marrëveshje dhe njëkohësisht i shpalli luftë Ballit Kombëtar. Po me urdhër të Tempos, Haxhi Lleshi qe caktuar që në krahinat e Dibrës së Madhe, Kërçovës, Strugës, Gostivarit dhe Tetovës, të cilat qenë bashkuar me Shqipërinë, të zhvilloj propagandë te popullsia shqiptare të atyre krahinave për ti bindur ata se ato krahina nuk janë shqiptare por jugosllave, prandaj ata duhet të përfshihen në radhët e LNCJ-së dhe ti shpallin luftë krahut nacionalist e antikomunist shqiptar në krye me: Xhemë Gostivarin, Shuaip Kamberin, Gajur bej Deralla, Fik e Ali Maliqi, Shemsi Hatibin, Ukë Camin, Murat Labënishtin, Mefail Zajazin, Syle Hotlen e shumë e shumë të tjerë për të  cilët nuk mund të thuhet se ishin “fashist” apo siç potencohet në pyetjen tuaj “kolobaracionist” vetëm pse ata luftonin që ato krahina të mos ripushtoheshin nga pushtuesit e ri jugosllav, përkatësisht forcave komuniste të Titos, ku merrte pjesë aktive edhe batalioni i Haxhi Lleshit dhe njësia e Aqifit. Ndodhitë e mëvonshme, përkatësisht, pas ripushtimit të këtyre krahinave shqiptare, njësite pushtuese komuniste jugosllavo-maqedonase vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, kurse dhjetëra-mijë të tjerë u arrestuan dhe u vendosën në kampet e përqendrimit ku shumë prej tyre u vranë në mënyrën më mizore të mundshme. Ndër të vrarët ishte edhe Hamdi Dema i cili mbante postin e zv.komandantit të LNCM-së, mirëpo pasi këto toka u ripushtuan i njëjti u arrestua nën akuzën se na paska qenë “spiun gjerman”, dhe më pas u vra në rrethana të panjohura në burgun e Prilepit. Përse për këtë akt të turpshëm të udhëheqjes komuniste maqedonase heshti dueti Aqif dhe Haxhi Lleshi, ndikimi i të cilëve te klika udhëheqëse komuniste maqedonase ishte shumë e fuqishme.

Studiuesi Qerim Lita
Studiuesi Qerim Lita


Nuk jam për atë se të gjithë partizanët shqiptar të shpallen tradhtar. Përkundrazi, ka shumë prej tyre të cilët më vonë të pakënaqur nga politika e dhunshme e pushtetit komunist jugosllav-maqedonas të distancohen nga ajo ideologji për t’iu bashkangjitur organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, e cila organizatë qe themeluar nga inteligjenca e atëhershme shqiptare në krye me Azem Maranën, Mahmut Dumanin, Hasan Bilallin, Gjon Serecin, Halim Oranën, Qeram Zllatkun, kapiten Hysni Rudin, Mehmet Bushin e shumë të tjerë. Kjo bërthamë e shëndoshë kombëtare në rrethana kur pushtuesit komunist jugosllav kryenin krim të paparë ndaj popullsisë shqiptare, e panë të arsyeshme themelimin e kësaj organizate e cila me ndihmën anglo-amerikane do të mund ti çlironte këto toka shqiptare. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për partizan të mashtruar por për udhëheqës dhe zbatues të politikës serbomadhe, përkatësisht jugosllavo-madhe për të cilët nuk vlente ideologjia, por urdhri i ardhur nga Beogradi, pa marrë parasysh se a ishte Nikolla Pashiqi apo J.B. Tito.

Foldrejt.com: Si historian, cilën figurë dibrane do e kishe vlerësuar më shumë përgjatë shekullit të kaluar?

Dibra si krahinë në tërësi ka nxjerë figura të shquara kombëtare shqiptare, disa prej të cilave do i veçoja: Iljaz Pashë Dibra, Sait Najdeni, Vehbi Agolli-Dibra, Mersim Dema, Elez Isuf Ndreu, Dan Cami, Ismail Strazimiri, Jashar Erebara, hafiz Sherif Langu, Shemsi Hatibi, Uke Camin, Fiqiri Dine, Halil Alia, Ali Maliqi, Mahmut Dumanin, Haki Stërmillin, Qeram Zllatkun, Osman Camin, Medat Tërshana, Burhan Pasholli, Remzi Papraniku e shumë të tjerë të cilët me veprat e tyre kanë lënë gjurmë në historiografinë tonë kombëtare./Foldrejt.com

 

Intervistoi: Fitim F. Dika