Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me punën intensive për përfundimin e aktiviteteve që po zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
“Deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Po punohet maksimalisht që deri në përfundim të ditës së sotme të përmbyllim procesin e rinumërimit”, tha Elezi.
Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.
Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.