Ekzistojnë shumë aplikacione që vlerësojnë cilësinë e ajrit brenda dhe jashtë shtëpisë tuaj. Por, një programues i ri krijoi një të tillë për vendlindjen e tij, Maqedoninë e Veriut. Aplikacioni tashmë ka zgjuar interesim në mbarë botën.

“Ju siguroj se ky është qyteti im, Shkupi. Qyteti është aty, por ju nuk mund ta shihni nga ndotja e ajrit”.

27 vjeçari nga Shkupi, Gorjan Jovanovski, krijoi aplikacionin “AirCare”, program ky që njofton mbi ndotjen e ajrit në 39 shtete në 8 gjuhë të ndryshme. Kështu ai ndërlidhi dy pasionet e tij, teknologjinë dhe ambientalizmin.

“AirCare është një aplikacion për telefonin ose laptopin tuaj, përmes së cilit mund të informoheni për cilësinë e ajrit ay ku jetoni, nivelin e ndotjes së ajrit që e thithni”, thotë krijuesi i aplikacionit Gorjan Jovanovski.

Aplikacioni është i lidhur me stacionet qëmasin cilësinë e ajrit në botë. Programi mbledh informacione të cilat i dërgon në telefonin tuaj duke ju njoftuar për cilësinë e ajrit që thithni.

“Informacionet i marrim nga tri burime kryesore: të dhënat e stacioneve të ndotjes së ajrit, nga stacione vullnetare dhe stacione satelitore si Agjencia evropiane e Hapësirës dhe NASA”, thekson zoti Jovanovski.

Zoti Jovanovski e krijoi aplikacionin në vitin 2015, por vepra e tij u bë e njohur më 2019, kur Serbia njoftoi ndotje të madhe të ajrit në 14 qytete.

Ai shpreson që aplikacioni të ndihmojë njerëzit të ndërgjegjësohen mbi cilësinë e ajrit dhe të motivohen për të ndihmuar ndryshimin.

“Bota është në rrezik. Ndotja është një nga pasojat e ndryshimeve klimatike. Secili në botë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, duhet të ndryshojë shprehitë, që të kemi një të ardhme më të pastër dhe ekologjike dhe që raca njerëzore të mbijetojë”, thotë ai.

Së fundmi aplikacioni është mundësuar edhe në ShBA. Krijuesi i tij thotë se programi po përdoret në Kaliforni për të monitoruar zjarret që kanë kapluar vendin.

“Kalifornia ka ndotje të madhe nga zjarret e kësaj kohe. Pasi mësuan se aplikacioni është lejuar në ShBA, shumë përdorues e shkarkuan atë dhe e përdorin disa herë gjatë ditës për të kontrolluar ndotjen dhe monitoruar zjarret”, thotë zoti Jovanovski.

I riu maqedonas shpreson që aplikacioni i tij të ndihmojë ndryshimin që ai thotë se i duhet botës për të pasur një ambient dhe ajër të pastër.