Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike

Liria e shprehjes është një parim që mbështet lirinë e njeriut apo shoqërisë për të artikuluar mendimet dhe idetë e tyre, pa frikë nga hakmarrja, censurimi apo dënimi ligjor. Liria e shprehjes është e mbrojtur nga Ligji për të drejtat njerëzore, nën Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat Njerëzore dhe Ligjin Ndërkombëtar për të Drejtat Njerëzore në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.  Sot, nëpër media shohim sesi shumë gazetarë përdorin këto terme dhe ligje për të artikuluar lirinë e shprehjes, por asnjëri prej tyre nuk përmend nenin 19 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, përkatësisht amendamentin i cili është shtuar më vonë dhe thuhet: “ushtrimi i këtyre të drejtave mbart detyra dhe përgjegjësi të veçanta dhe mund të jetë subjekt i kufizimeve të veçanta kur është e nevojshme, apo respektimit të të drejtave ose reputacionit të të tjerëve, ose mbrojtja e sigurisë kombëtare ose e rendit publik, apo edhe moralit publik”. Këta janë shumë pak fjalë për “avokatët” e lirisë të shprehjes, për të cilët çdo sharje dhe ofendim i dikujt tjetër, paraqet një të drejtë dhe liri, edhe pse kjo mund të prek ndjenjën e mijërave apo miliona njerëzve.

Nisa këtë shkrim me lirinë e shprehjes, pasiqë ditëve të fundit është bërë temë diskutimi publikimi i disa karikaturave nga një revistë franceze,  ku një profesor francez i cili ka ligjëruar për lirinë e shprehjes duke marrur si rast studimi karikaturat e publikuara, është ekzekutuar në mënyrë barbare nga një emigrant çeçen. Fillimisht, dëshiroj që të jap qëndrimin dhe mendimin tim: çdo vrasje është e dënueshme dhe nuk ka asnjë arsyetim për atë që ka ndodhur, sepse ka mënyra të tjera për të reaguar në raste të tilla. Edhe diku iu referuar Kuranit, por edhe traditës të profetit Muhammed, do të shohim që jeta njerëzore është e shenjtë dhe që askush nuk ka të drejtë që të marr shpirtin e askujt. Nëse shfletoni Kuranin, atëherë do të keni mundësi që të lexoni ajetin ku Zoti thotë: “Kush vret një njeri pa të drejtë, sikur ta kishte vrarë gjithë njerëzimin”, kurse Muhammedi a.s. ishte padyshim praktikuesi më i mirë i kësaj fjale.

Sikur të jetonim në Francën e viteve të 1700-1800, atëherë jo vetëm që nuk do të shihnim këto tragjiko-komedi të cilat janë duke ndodhur, por do të takonim edhe filozofin Lafajet, njërin nga ata që përgatitën bazën ideore të revolucionit të madh francez, i cili do të kishte thënë: “O Muhammed! Atë që ke sjell dhe aplikuar në botë, nuk e ka bërë askush. Ti e ke sjellë drejtësinë në një vend të paarritshëm…” Në të njëjtën periudhë do të kishim takuar edhe Napolon Bonapartën, një burrështetas francez dhe udhëheqës ushtarak, i cili do të kishte thënë: “Muhammedi ishte një njeri i madh, një ushtar i patrembur, i cili me një grusht burrash triumfoi në luftën e Bedrit. Ai ishte një kapiten i madh, elokuent, një burrështetas i madh i cili ringjalli atdheun e tij dhe krijoi një popull dhe fuqi të re në mes të Arabisë”. Gjatë kësaj periudhe takojmë edhe historianin dhe shkrimtarin e madh francez Fransua Volter, i cili do të thoshte: “Muhammedi ishte i ditur dhe modest, poet, astronom, reformoi kalendarin e arabëve, ishte gjithashtu ligjvënës dhe mjek… Qysh në shekullin e dytë sipas Hixhretit, arabët bëhen mësuesit e Evropës në dije dhe arte, kurse të krishterët mësonin në Perëndim te myslimanët”.

Pra, me pak fjalë, në këtë mënyrë e paraqisnin dhe e vlerësonin Muhammedin a.s., figurat më të ndritura të kombit francez, kurse sot, për fat të keq ndodh e kundërta. Nuk dëshiroj që të merrem me detalet të cilat kanë ndodhur, por më tepër dua që të jap disa rekomandime sesi duhet të sillen myslimanët evropian kur bien pre e provokimeve të tilla:

  • Kur flasin për profetin Muhammed dhe dëshirojnë ta paraqesin të atillë që nuk ka qenë, atëherë ne duhet të themi: “Ai nuk është profeti ynë, por vetëm se një pjellë e imagjinatës të tyre të bazuar në injorancë dhe jo në fakte”;
  • Të lexojmë dhe të mësojmë për jetën e Muhammedit a.s., në mënyrë që të jemi mirë të informuar dhe të krijojmë imazhin e vërtetë për të;
  • Organizimi i konferencave dhe tubimeve që kanë për qëllim prezantimin e jetës dhe veprës të Muhammedit a.s.;
  • Tu themi shkurt dhe qartë: “Mësoni dhe studioni jetën e këtij njeriu të madh, njëlloj sikurse edhe paraardhësit tuaj, në mënyrë që të gjeni paqe shpirtërore dhe të ndërtoni ura civilizimi dhe jo urrejtjeje.

Gjatë jetës të vetë profetit, por edhe pas tij, ka pasur mjaft persona të cilët e kanë ofenduar apo nënçmuar, por përgjigjja e tij do të ishte: “Ju jeni duke parë veten tuaj në pasqyrë”.  Andaj, edhe qëndrimi ynë në këtë rast duhet të jetë: “Ai nuk është profeti ynë, por ata janë duke parë veten e tyre në pasqyrë”.