Banorët e lagjes Hoxha në Plluzhinë të Skenderajt, tash e disa vite të vetmin burim uji e kanë një krua. Por, si pasojë e mungesës së shiut dhe verës së thatë edhe ky krua ka shteruar, duke lënë pa ujë 15 familje.

Jahë Jusufi, banor i këtij fshati, ka kërkuar nga komuna hapjen e një baseni ose mbushjen e tij me ndonjë cisternë me kapacitet prej 10 mijë litrash.

“Jemi 15 familje. Asnjëra kurrë s’ka hapur pus, sepse ky krua nuk e mban mend kush se ka shterrur dhe jemi furnizuar për mrekulli. Tani jemi pa asnjë pus të pijes . Pra jemi në hall. Nga komuna, mundësisht, kërkojmë një ndihmë qoftë me ndonjë hapje baseni, qoftë me ndonjë cisternë duke mbushur basenin me kapacitet prej 10 mijë litrash”, ka shkruar ai në Facebook.

Hallin për mungesën e ujit e ka shprehur edhe një banorë tjetër i po të njëjtit fshat.

Imer Hoxha thotë se nëse nuk gjendet shpejt një zgjidhje për këtë problem do të iu duhet që të shpërngulen nga fshati.

“Nëse nuk e zgjidhim këtë problem, duhet me i shitë bagëtitë e të gjitha, dhe me u shpërngulë nga ky fshat”, shtoi Hoxha.

Banorët e tjerë të këtij fshati thonë se janë munduar me forcat e tyre të bëjnë një zgjidhje, por pa sukses.

Për hallin e këtyre banorëve, në Komunën e Skënderajt thonë se është duke u bërë zgjidhje.

Drejtoresha për Urbanizëm në këtë komunë, Sanije Ahmeti ka thënë se janë duke e realizuar projektin e ujësjellësit në 10 fshatra, ku do të përfshihet edhe Plluzhina.

“Komuna e Skenderajt është duke realizuar projektin e ujësjellësit në 10 fshtara, ndër të cilët përfshishet edhe fshati Plluzhinë dhe për të cilin në fazën e dytë do të bëhen kyçjet”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërkohë, për kërkesën e banorëve që të hapet një basen, Sahiti thotë se aktualisht nuk ka mundësi buxhetore, por se me realizimin e projektit të ujësjellësit, çështja e ujit do të zgjidhet.

“Sa i përket bazenit që kanë kërkuar për momentin nuk ka mundësi tjera buxhetore sepse kjo duhet të hyjë në planifikim paraprakisht (gjë që tani është projekti në realizim siç u cekë me lartë), prandaj me realizimin e ketijë projekti do të rregullohen çështjet e tilla, ku në këtë gjendje janë shumica e fshatrave”, ka thënë Ahmeti.

Zelfije Zeneli, studente në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.