E enjte, Nëntor 14, 2019
Ballina POLITIKË ​KURTI: RRUGA E SERBISË PËR NË BE KALON NËPËR PRISHTINË

​KURTI: RRUGA E SERBISË PËR NË BE KALON NËPËR PRISHTINË

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, në pasditen e sotme ka mbajtur tubimin mobilizues për protestën e 29 shtatorit me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.

Lëvizjes Vetëvendosje është duke mbajtur tubime mobilizuese me aktivistët e saj dhe qytetarë, për protestën e së shtunës, ku kërkohet të kundërshtohet ideja e Presidentit Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se çka do që është marr vesh Thaçi me Vuçiqin, atë gjë e konsideron të fituar tashmë Vuçiqi, me që përfaqëson Serbinë që është më e madhe dhe më e fuqishme, ndërsa shtois e Vuçiq do të kërkojë edhe më shumë se aq sa ka fituar deri më tani. “Të këtilla janë negociatat pa parime, ato i nevojiten agresorit, palës më të fuqishme në dëm të viktimës”, tha Kurti.

“Presidenti i Kosovës, po përpiqet të na bind se rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian, kalon nëpër Beograd, përmes dialogut më të, kur në fakt është saktësisht e kundërta. Rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian kalon nëpër Prishtinë. Kapitulli 35 shënon varësinë e Serbisë nga Kosova. Duhet të vihesh në pozitat e Serbisë, për ta përmbysur këtë gjendje. Dhe mu këtë e ka bërë tashmë presidenti i Kosovës. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, varet nga Kosova. Ne i kemi tri leva të fuqishme kundrejt Serbisë, të cilat nuk i shfrytëzojë asnjë qeveri, e asnjë president tash e dhjetë vjet. E para është, tregu prej gjysmë miliard euro i Kosovës, Serbia eksporton pa pengesa, ndërsa prodhuesit tanë s’eksportojnë do të në Serbi”, tha Kurti.

Sipas tij, e dyta është integrimi i Serbisë në BE, që varet nga Kosova dhe e treta është reciprociteti i Kosovës dhe Serbisë, kur dihet që shqiptarë nuk ka vetëm në Luginë të Preshevës, “dhe në përgjithësi ka më shumë shqiptarë në Serbi, sesa serbë në Kosovë”.

Ai po ashtu tha se Presidenti Thaçi e bëri një marrëveshje me Malin e Zi dhe Kosova humbi 8700 hektarë, por nuk e kërkoi Plavën e Gucinë, dhe “me korrigjimet e tij, Kosovës si shtet i zvogëlohet hapësira, e atij i zgjatet koha në pushtet”.

Kryetari LVV-së në Prishtinë, Arben Vitia tha se sot Kosova është në një situatë të jashtëzakonshme, ku të zakonshme kanë mbetur vetëm skandalet e shumta që ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë Qeveria aktuale, me varfëri të përgjithshme, e cila siç tha ai sa vjen e rritet, ashtu siç rritet papunësia, “e në anën tjetër, po zvogëlohet mirëqenia sociale, duke ia marr dinjitetin qytetarëve tanë”.

“Tani mbi të gjitha kemi edhe presidentin e vendit, i cili pa mandate kushtetues, në një republikë parlamentare si Kosova, ka nisur një aventurë komplet personale. Për fat të keq, kjo aventurë, nuk e prek vetëm personin në fjalë, por na prek të gjithë neve, ai dëshiron të shpëtojë nga Gjykata Speciale dhe është gati të paguajë me një çmim që i prek të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai po dëshiron të paguajë me territorin e Republikës sonë. Ky president na thotë se do ta marrim Kosovën Lindore, nuk ka asnjë shqiptar që është kundër bashkimit të Kosovës Lindore dhe presidenti e di këtë. Ndaj, ai po manipulon me ndjenjat tona, që të pranojmë faljen e Veriut, por historia na tregon se ai çdo herë ka mashtruar. Ai kurrë nuk ka bërë diçka për Kosovën Lindore. Ai kurrë nuk e ka ndihmuar Preshevën, Medvegjen e Bujanocin”, tha Vitia.

Ai shtoi se ideja e presidentit është e papranishme dhe fyese për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa theksoi se po të donte ta forconte Kosovën, ai do ta ndihmonte Kosovën, duke e forcuar shtetin dhe duke e luftuar krimin. Ndërsa shtoi se një e mirë e këtij procesi është, se tani Thaçi ka mbetur vetëm.

Kurse, anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se pret që në protestën e 29 shtatorit, do të ketë mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare me mesazh se nuk do të lejohen pazaret për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, kreu i vendit Hashim Thaçi me dialogun në Beruksel me palën serbe po hyn në një aventurë të rrezikshme duke vënë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës, si dhe të ardhmen tonë politike e ekonomike në botë. Ajo tha se presidenti Thaçi ka nisur të kërkojë aleanca të reja dhe të rrezikshme për nismën për korrigjimin e kufijve, ide kjo e cila sipas saj, në fakt është e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti ka vendosur shpejt e shpejt të bëjë një marrëveshje, por këtë marrëveshje nuk ka legjitimitet dhe as mandat dhe kur nuk ka mandat nga brenda, ka kërkuar atë nga jashtë, por duke mos pasur mbështetjen e aleatëve të Kosovës dhe as Gjermanisë, presidenti ka nisur të kërkojë aleanca të reja dhe të rrezikshme që mbështesin nismën e tij, e cila nuk është e tij, por e presidentit Vuçiq… Aleatin që po e kërkon Hashim Thaçi është Rusia dhe këtë e pamë shumë qartë nga takimi që pati me kryeministrin rus Medvedev në Turqi”, ka thënë Pacolli.