Retro/ Ferid Pashë Vlora: Jam kundërshtar i Anglisë e simpatizant i Gjermanisë, sepse jam atdhetar i Osmanëve

Fitim Dika

Ferid Pashë Vlora, kushëriri i Ismail Bej Vlorës, ka pasur funksione të shumta gjatë periudhës së fundit të Perandorisë Osmane. Ai fitoi emër si guvernator i Konjës pasi ndërtoi ujësjellësin, më pas si kryeministër në intervalin e fundit të Sulltanit të madh Abdulhamidi II, dhe në fund për pak kohë ishte edhe ministër i brendshëm në kohën e Xhonturqve. Gjatë turbulenaceve dhe tensioneve mes lobeve të ndryshme, ai njihej si përkrahës i politikave gjermane në Portën e Lartë dhe për këtë ishte kundërshtar i lobit anglez që ishte edhe më i fuqishëm – veçanërisht pas shkarkimit të Sulltan Abdulhamidit II.

Në një letër kushtuar lëvizjes së Xhonturqve, që kishin mbështetje më të madhe nga Anglia, ai u shkruan një letër të bardhë mbi të zezë se “jam kundërshtar i Anglisë sepse jam atdhetar i Perandorisë Osmane.”

Në vijim, Foldrejt.com, ju sjell shkrimin e plotë të Ferid Pashë Vlora, sesi e arsyeton kundërshtimin ndaj Londrës:

“Po, kanë të drejtë! Jam kundërshtar i Anglisë. Kur u bëra kryeministër gjashtë vjet më parë 1903, kërkova Anglinë e Luftës së Krimesë, por nuk e gjeta. Pastaj hapa sytë për Anglinë e Shën Stefanit, por edhe atë nuk e gjeta. Ajo që gjeta ishte një tjetër Angli; një Angli, e cila vepronte bashkë me komitetet bullgare në Ballkan dhe e cila donte t’ia jepte Bullgarisë vilajetet tona të Rumelisë. Një Angli, e cila na kishte marrë Qipron, Egjiptin e Sudanin dhe e cila pa arsye e logjikë na shkëputi Shtatë Nahijet në Aden.

Një Angli, e cila mori në kontroll një territor të rëndësishëm të Perandorisë Osmane duke lidhur një marrëveshje politike me Kajmekam Mybarek Sabahun të emëruar nga sulltani, e cili Musavvën që na përkiste neve [në bregun e Detit të Kuq] ua dhuroi anglezëve dhe , dy vjet më parë, me rastin e mosmarrëveshjes në Akabe, mori Gadishullin e Sinait. Një Angli, e cila duke lidhur marrëveshje me sulltanin e Muskatit cenoi të drejtat tona dhe duke na zmbrapsur nga Gjiri Persik nëpërmjet izolimit, shtiu në dorë tregtinë detare në njërën nga arteriet tona jetike.

Së fundi gjeta një Angli, e cila qe marrë vesh me fuqitë për autonominë e Maqedonisë nën mbikëqyrjen e një guvernatori të krishterë, siç kishte ndodhur me të gjitha vilajetet tona të humbura. Po jua them pra, pse jam kundërshtar i Anglisë: sepse jam një atdhetar i Perandorisë Osmane.

Le ta marrim edhe pse jam simpatizant i Gjermanisë: Sepse Gjermania kurrë nuk ka kërkuar asnjë grimcë territor prej nesh. Sepse gjatë trazirave në Kretë Gjermania na dha këshilla, të cilat, po t’i ndiqnim, do të mund ta ruanim çdo ishull. Sepse Gjermania e ka shtruar Anadollin me rrugë që bënë të mundur zhvillimin ekonomik dhe forcuan financat e vendit. Sepse Gjermania ka dërguar ushtarakët e saj të zgjedhur për të na ndihmuar në reformimin e ushtrisë. Sepse Gjermania ka mbajtur qëndrim kundër trysnive për reformë, që në vendin tonë të mos jenë zot të huajt, por ne.”

Dhe në fakt kështu doli. Gjatë Fushatës së Galipolit 1915-1916, gjashtë vjet pas këtij shkrimi 1909, vdiqën mbi gjysëm milion ushtarë, prej të cilëve qindra-mijëra ushtarë anglezë dhe francezë të cilët dëshironin të pushtonin Stambollin nga turqit. Këta të fundit mbrojtën heroikishit kryeqytetitn e tyre edhe falë ndihmës së 700 ushtarëve gjermanë./Foldrejt.com

Vërejtje: Ky artikull u mundësua falë librit “Ferid Pashë Vlora – Një jetë shtet” nga Shtëpia Botuese ‘Logos-A’.