Perspektivat e myslimanëve rreth Holokaustit dhe antisemitizmit

Duke iu referuar autorit Mehnaz Afridii me librin e saj “Shoah Through Muslim Eyes”, në ambientet e Qëndrës Kulturore Shqiptare Islame u organizua  biseda ndërfetare mes komunitetit hebre dhe atij mysliman në Nju Jork, shkruan Foldrejt.com.

Ky organizim që nxjerr në pah tolerancën ndërfetare mes komuniteteve në Nju Jork, është iniciuar nga Qëndra Kulturore Shqiptare Islame (Albanian Islamic Cultural Center), Wagner College-Holocaust Center dhe Jewish Community Center.

Fjalën përshëndetëse dhe hyrëse në këtë takim e kishte imami i kësaj Qëndre, Tahr Kukaj. “Jemi krenar për interesimin dhe sinqeritetin rreth kësaj bisede me temë “Myslimanë dhe Holokausti”. Profesor Mehnaz Afridi foli me fjalë shumë të bukura dhe domethënëse se si myslimanët kanë shpëtuar jehuditë, rezistencën ndaj propagandës naziste”, tha Tahir Kukaj, njëri ndër organizatorët kyç të kësaj bisede ndërfetare. “Një mesazh shumë shpresëdhënës dhe dritë në errësirën e Shoah”, shtoi ai.

Mes të ftuarve, këtë takim e udhëhoqi Prof. Lori Weintrob, drejtoresha e Qëndrës për Holokaust në Wagner College. Hyrjen e kësaj bisede e realizoi Rabbi Robert Kaplan, që është edhe udhëheqësi i Këshillit për Marrëdhëniet e Komunetit Hebre. Mes tjerash ai tha që kjo bisedë është e rëndësishme pasiqë vendos një urë bashkëpunimi mes myslimanëve dhe hebrenjve që jetojnë në nënqiellin e Nju Jorkut.

Pjesën kryesore të kësaj bisede e udhëhoqi autorja e librit “Shoah Through Muslim Eyes” prof. Mehnaz Alfridi, e cila në pika të shkurtra foli rreth librit të saj.  Mehnaz Afridi është drejtoreshë e Qëndrës për Holokaust , Gjenocid dhe Marrëdhënie Ndërftare në Manhattan College dhe anëtare e Komisioit për Etikë dhe Religjion në Muzeumin Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Afridi është një myslimane praktikante që ka studiuar në Izrael dhe flet rreth antisemitizmit. Studimet e saja bazohen në eksperiencaz e myslimanëve që kanë shpëtuar hebrenjtë, sikurse në Shqipëri, Algjeri dhe Turqi, ata të cilat kanë bashkëpunuar me nazistët dhe ata të cilët ishin viktimë e gjithë kësaj.

Në këtë takim ndërfetar ishte e pranishme edhe përfaqësuesja nga Konsulata e Përgjithshme nga Republika e Kosovës në Nju Jork, Ines Demiri. Demiri e cila rrjedh nga një familje hebrejo-shqiptare, foli rreth asaj që hebrenjtë në Kosovë datojnë qysh nga shekulli i 15-të, dhe që së shpejti në formë memoriali pritet që të ndërtohet një sinagogë dhe muzej në Prizren, mes objekteve të shumta të objekteve të besimeve të ndryshme, shkruan Foldrejt.com.