“Kush ishte gazetari, i cili solli njohjen e Kroacisë nga Gjermania?” Kjo pyetje shpesh bëhet nga analistët dhe mediat kroate, duke nënkuptuar se është pikërisht botuesi i gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Johann Georg Reißmüllers, ai i cili bindi Helmut Kohl-in për të ndryshuar qasjen nga Jugosllavisë (kupto: Serbisë).
Në Universitetin e Zagrebit, në 10 dhjetor, u mbajt një ceremoni përkujtimi për Johann Georg Reißmüllers – ku morrën pjesë akademikë, politikanë dhe diplomatë të shquar.
Me artikujt e tij në mediat gjermane në fillim të viteve 90-a kundër krimeve të Jugosllavisë, ai detyroi të ndryshojë qasjen dhe të veprojë politika gjermane – që deri atëherë kishte qenë thuajse neutrale në të gjitha konfliktet.
Edhe vetë ish ministri i jashtëm dhe diplomati kroat në Bon të Gjermanisë, Miro Kovac, thekson se “Gjermania mund ta kishte njohur Kroacinë edhe më vonë, por shkaku që njohu atë në 1991, solli një kthesë mjaft të madhe për kroatët dhe kjo ndodhi falë angazhimit të Reßmüllers.”
Përveç rolit pozitiv ndaj Sllovenisë dhe Kroacisë, Johann Georg Reissmüller akuzonte Beogradin për «përndjekje gjenocidale» të shqiptarëve. Pa komentet e tij, Gjermania vështirë se do të hynte në luftë më 1999 për çlirimin e Kosovës. Andaj nuk është befasi që xhami i kuzhinës së Reissmüllerit ishte i blinduar, ngase në Serbi ishte premtuar një shumë gjashtëshifrore me para për atë person që e vret këtë gazetar. Nuk arritën ta vrasin. Reissmüller vdiq në moshën 86-vjeçare në 10 dhjetor 2019.
Në shkurt të vitit 1991 Reissmüller botoi një editorial në Frankfurter Allgemeine Zeitung me titullin: «Herrenvolk-Verblendung». Fjala «Herrenvolk» përdoret jo vetëm në gjermanisht, por edhe në anglisht për të përshkruar një popull që sillet si padron dhe dëshiron t’i pushtojë vendet e tjera. Ndërsa «Verblendung» domethënë verbëri. Pra, Reissmüller i referohej serbëve të fillimviteve ’90 si një popull i verbëruar që dëshiron të jetë sundues i popujve të Ballkanit. Pa marrë parasysh nga cila anë shikohet kriza jugosllave, shkruante Reissmüller, shkaktar i mjerimit në shtetin jugosllav është ambicia serbe për dominim. Ky mentalitet i popullit që dëshiron t’i sundojë të tjerët, i trajton popujt e tjerë të Jugosllavisë si objekte të vullnetit të tij për t’i nënshtruar, nënvizonte ai.
Për «jugo-serbët», këta «bolshevikë militantë» që duan të ndërtojnë një «Serbosllavi» mbi rrënojat e Jugosllavisë nuk duhet të ketë vend në Bashkësinë Europiane (siç quhej atëbotë Bashkimi Europian), shkruante Reissmüller. Ndërsa publicistë të tjerë në Europë dhe në SHBA edhe në fillim të viteve ’90 besonin se Jugosllavia do të mbijetojë, Reissmüller në komentin «Kur të shpërbëhet Jugosllavia» shkruante: «RSFJ do të fundoset: këtë nuk mund ta ndalë kush (…)». Ai e quante këtë shtet instrument të dominimit serbomadh, ndërsa Armata Popullore e Jugosllavisë, sipas tij, rrezikonte popujt e tjerë që kanë shporrur bolshevizmin dhe duan të braktisin dominimin serb. Dhe vazhdonte: «Shumica e ambasadave jugosllave janë përfaqësi serbomëdha. Çka duhet të ndiejnë kroatët e sllovenët, myslimanët boshnjakë dhe shqiptarët në një shtet të tillë?»
Kosova do ishte edhe më mirë, sikur politika gjermane të reflektonte më mirë ndaj komenteve të Reißmüller
Komentet e Reißmüller në vitet 90-ta, nuk u morrën shumë seriozisht për rastin e Kosovës, kur në artikullin „Ermächtigung zum Völkermord“ (1992), ai paralajmëroi një luftë në Kosovë, por edhe një masakër si ajo në Srebrenicë 1995.
Ai bile akuzoi Gjermaninë e atëhershme se po ndjek moton “bëj sikur nuk shikon, nuk mendon, nuk din, vetëm që të mos marrësh përgjegjësi”.
Vetëbesimi dhe pavarësia e Reißmüller nënkuptohej edhe në vendimin e tij “që kurrë nuk la politikanët t’ia paguajnë qoftë edhe një kafe”.
Kroacia dhe Sllovenia nuk e kanë harruar veprën e Reßmüller, duke organizuar tribuna përkujtimi për të. Edhe shqiptarët dhe boshnjakët duhet të njihen me këtë personalitet të madh gjerman, që pena e tij ndihmoi në njoftimin e drejtë mbi atë që ndodhte mbi ish Jugosllavinë./Foldrejt.com