Albert Jashari zgjidhet kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Suedi

Në lokalet e Qendrës Kulturore Shqiptare në Malmo të Suedisë, u mbajt Kuvendi i Tretë zgjedhor i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Suedi, në një atmosferë të lartë demokratike.

Mbarëvajtja e punimeve ka shkuar jashtëzakonisht mirë, sipas rregullores së punës së Kuvendit, e  mund të thuhet se është shembull për rrjetet e tjera në Evropë.

Të pranishëm në këtë Kuvend kanë qenë mbi 60 pjesëmarrës, por me të drejtë vote kanë qenë 38 delegatë. Me vota të fshehura 29 delegatë votuan për postin e kryetarit, Albert Jasharin, kurse 9 vota votuan kundërkandidatin tjetër.

Delegatët votuan Plan-programin për katër vitet e ardhshme të cilin e prezantoi kryetari i posazgjedhur, Albert Jashari, i cili gjatë një interviste ndër tjera tha: Në mandatin e ardhshëm katër vjeçar do të bëjmë përpjekje maksimale për rritjen e numrit të anëtarësisë në biznes të nivelit të lartë, marrja e një projekti të madh në Suedi ku aksionarë të përbashkët do të jenë afaristë në Suedi, themelimi i Odës Ekonomike Suedeze në Prishtinë, marrja e një projekti të përbashkët në atdhe ku aty do të jenë aksionar afaristë që jetojnë dhe veprojnë në Suedi.

Për këto jemi zotuar para delegatëve që këtë plan do ta realizojmë deri në fund brenda mandatit katër vjeçar”, tha kryetari i porsazgjedhur i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Suedi, Albert Jashari.

Kryesia e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Suedi u zgjodh në këtë përbërje: Albert Jashari kryetar, Shani Hoti nënkryetari i parë, Robert Hoti nënkryetari i dytë dhe drejtor për media, Valon Kryeziu sekretar, Arben Telaj arkëtar, Bujar Morina drejtor ekzekutiv dhe Naim Latifi anëtar i kryesisë. /Indeksonline/